Save the Children publikoi raportin e ri “Protect What Works” (“Të mbrojmë atë që funksionon”). Raporti i bën thirrje Bashkimit Evropian të ruajë fondin e dedikuar për luftën kundër varfërisë së fëmijëve në Fondin e ardhshëm Social Evropian.
Aktualisht, çdo shtet anëtar duhet të shpenzojë të paktën 5% të fondeve ESF (Fondi Social Evropian) + për fëmijët në varfëri. Propozimet për buxhetin e ardhshëm afatgjatë të BE-së rrezikojnë ta heqin këtë detyrim. Mesazhi i raportit është i qartë: Mbrojtja nuk duhet hequr pikërisht sepse ka funksionuar.
Varfëria e fëmijëve në Evropë
Në vitin 2025, gati 1 në 4 fëmijë në BE, pra 19.2 milionë fëmijë, rrezikonin varfërinë ose përjashtimin social. Në mes të periudhës së zbatimit, BE nuk ka bërë asnjë progres neto drejt objektivit për të nxjerrë 5 milion fëmijë nga varfëria deri në 2030.
Për ta arritur këtë objektiv, rreth 2,800 fëmijë do të duhej të dilnin nga varfëria çdo ditë deri në fund të dekadës. Sipas raportit, varfëria e fëmijëve vazhdon jo sepse mungojnë zgjidhjet, por sepse mungon prioriteti politik dhe financiar.
Shqipëria: pa një fond të dedikuar për fëmijët
Raporti përfshin edhe Shqipërinë, si një nga katër vendet kandidate për anëtarësim. Fondi Social Evropian nuk zbatohet në Shqipëri, dhe në instrumentin e para-anëtarësimit IPA III nuk ka një mekanizëm të ngjashëm që rezervon fonde për fëmijët. Sipas raportit:
- 26.5% e fëmijëve janë në rrezik varfërie (EU-SILC 2023). Shifra ka rënë nga 28.5% në 2021, por mbetet shumë mbi mesataren e BE-së.
- Investimi në edukimin dhe kujdesin në fëmijërinë e hershme është vetëm 0.29% e PBB-së, shumë nën nivelin e vendeve të BE-së.
- Në arsimin e hershëm marrin pjesë rreth 51% e fëmijëve, dhe vetëm 26.5% e fëmijëve romë.
- Shërbimet sociale plotësojnë vetëm 28% të nevojave të identifikuara për mbrojtje, dhe vetëm 19% për fëmijët me aftësi të kufizuara.
- Shumë bashki plotësojnë vetëm 0–10% të nevojave për shërbime.
Shkaqet kryesore janë të ardhurat e ulëta të familjeve dhe punësimi i ulët i prindërve, përfitimet sociale të pamjaftueshme dhe të mirëshënjestruara keq, kostot e larta të ushqimit dhe aksesi i dobët në shërbime në zonat rurale. Më të prekurit janë fëmijët romë dhe egjiptianë, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët në zonat rurale dhe fëmijët në kujdes alternativ.
Edhe në shëndetin mendor ka hendek mes politikave dhe praktikës. Plani Kombëtar i Veprimit për Shëndetin Mendor 2023–2026 është miratuar, por shërbimet mbeten të kufizuara, të shpërndara në mënyrë të pabarabartë dhe të integruara dobët.
Progresi i bërë
Shqipëria ka bërë edhe hapa përpara. Numri i fëmijëve në institucione rezidenciale është ulur me rreth 30%, falë kalimit nga Qendrat të Mbështetjes për Fëmijët drejt shërbimeve në komunitet.
Ndihma Ekonomike po reformohet që t’u shërbejë më mirë fëmijëve, dhe po punohet për një pagesë të rregullt për fëmijët. Këto janë reforma kombëtare në përputhje me Garancinë Evropiane për Fëmijët, por nuk financohen nga një fond i dedikuar për këtë qëllim.
Çfarë thonë fëmijët
Konsultimet me fëmijët në Shqipëri konfirmojnë atë që raportojnë të rriturit. Një fëmijë tha: “Disa shërbime që duhet të jenë falas në fakt krijojnë kosto shtesë për familjet.” Një tjetër vuri në dukje se kriteret dhe procesi i shpërndarjes së granteve për strehim nuk janë të qarta.
Grupi Këshillimor i Fëmijëve dhe të Rinjve kërkon fushata të strukturuara ndërgjegjësimi, që familjet të kuptojnë qartë sa shërbime ekzistojnë, cilat janë dhe kush kualifikohet për to.
Çfarë kërkon Save the Children
Në nivel të BE-së, raporti kërkon që detyrimi i 5% të fondeve ESF+ për varfërinë e fëmijëve të ruhet dhe të shtrihet në çdo shtet anëtar. Në vendet me nivel të lartë varfërie të fëmijëve, ky prag duhet të rritet në të paktën 10%.
Për Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate, Save the Children kërkon:
- Një fond minimal të detyrueshëm për fëmijët në programet e BE-së për vendet kandidate (Global Europe), sipas modelit të ESF+.
- Një mekanizëm gjurmimi (Child Marker) që tregon sa fonde shkojnë realisht te fëmijët.
- Fonde të BE-së që shkojnë drejtpërdrejt te organizatat e shoqërisë civile që mbështesin zbatimin e planeve kombëtare.
Përse ka rëndësi tani
Ndërsa mbrojtja dhe konkurrueshmëria zënë gjithnjë e më shumë vend në buxhetet evropiane, fondet për fëmijët rrezikojnë të mbeten pa mbrojtje. Për Shqipërinë, si vend në rrugën drejt anëtarësimit, vendimet që merren sot për fondet e BE-së do të përcaktojnë sa mbështetje do të marrin fëmijët nesër.
E drejta e një fëmije për shëndet, arsim dhe ushqim nuk duhet të varet nga të ardhurat e familjes së tij.
