Në një akt solidariteti dhe humanizmi, stafi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri (European Union in Albania) dhe stafi i Save the Children in Albania iu përgjigjën thirrjes së Save the Children in Albania për veprim në mbështetje të familjeve më në nevojë dhe të prekura nga përmbytjet në zonën e Nishtullës, Durrës, përmes kontributeve të tyre personale.
Ndihma e dhuruar synoi të lehtësonte sadopak përballimin e situatës së vështirë të gjashtë familjeve në Njësinë Administrative Nishtullë, Durrës. Mbështetja përfshiu veshje për fëmijë dhe të rritur, paketa ushqimore, batanije, si dhe një ndihmë modeste financiare, e dedikuar për mbulimin e nevojave më urgjente të familjeve pas përmbytjeve.
Një mirënjohje dhe falënderim i veçantë i shkon stafit të Delegacionit të Bashkimit Evropian, i cili iu përgjigj thirrjes për solidaritet, duke dhënë një shembull të qartë të angazhimit human në ndihmë të familjeve më në nevojë. Po ashtu, falënderojmë Njësinë Administrative të Nishtullës për bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar gjatë procesit të shpërndarjes.
Shpërndarja e drejtpërdrejtë e ndihmave tek familjet u realizua nga stafi i Save the Children in Albania, duke garantuar një qasje dinjitoze, transparente dhe të bazuar në nevoja. Në bashkëpunim me Njësinë Administrative, u identifikuan familjet përfituese dhe nevojat e tyre konkrete, në mënyrë që mbështetja të ishte sa më e përshtatshme dhe efektive.
E gjithë ndërhyrja u realizua në përputhje me parimet humanitare të Save the Children dhe standardet e mbrojtjes dhe ruajtjes së dinjitetit të përfituesve, duke siguruar që ndihma të dorëzohej drejtpërdrejt dhe me respekt të plotë ndaj familjeve të prekura.
Save the Children in Albania mbetet e angazhuar për të qëndruar pranë fëmijëve dhe familjeve në situata emergjente, duke nxitur solidaritetin dhe bashkëpunimin për një mbështetje sa më të fortë të komuniteteve në nevojë.


