LETËR E HAPUR
Drejtuar: Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Lënda: Kërkesë për shërbime, programe dhe investime të qëndrueshme nga Qeveria e re për të rinjtë në zonat urbane dhe rurale.
I nderuar z. Kryeministër,
Ngjarjet tragjike të ndodhura muajt e fundit, përfshirë humbjen e jetës së të miturve në Tiranë dhe së fundmi në Maliq, ku një 14-vjeçar u vra me thikë nga bashkëmoshatarët e tij, kanë tronditur thellë opinionin publik dhe kanë vënë në dukje një problem alarmant: mungesën e mjaftueshme të investimeve dhe shërbimeve të dedikuara për zhvillimin, mirëqenien dhe sigurinë e të rinjve tanë.
Apeli i Martinit dhe i çdo adoleshenti që kërkon më shumë mbrojtje dhe mundësi për të jetuar në paqe në Shqipëri vijon të na trokase në dyert e ndërgjegjes! Një tjetër 14-vjeçar ka ndërruar jetë sot në Maliq të Korçës, duke na kujtuar edhe njëherë detyrimin e çdo njërit prej nesh për të qenë më pranë tyre, me masa dhe investime konkrete. Ky fenomen, që gjithnjë e më shumë po bëhet pjesë e jetës sonë, vë në pikëpyetje një të ardhme të sigurt për fëmijët dhe brezat që do të vijnë.
Kërkesat e përsëritura për mbrojtje sot marrin kuptim më shumë se kurrë, duke na detyruar të prioritizojmë me urgjencë masa që i japin mundësi konkrete fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve për të jetuar të mbrojtur dhe për të pasur akses të plotë në aktivitete që i largojnë nga dhuna dhe i afrojnë një të ardhme më të ndritur.
Në emër të organizatave dhe qytetarëve të shqetësuar, ju kërkojmë që Qeveria e re të ndërmarrë masa të menjëhershme dhe afatgjata, duke përfshirë:
1. Rritje të buxhetit kombëtar dhe të buxheteve të veçanta për çdo bashki për programe për fëmijë dhe të rinj – me fokus të veçantë për zonat rurale dhe komunitetet e vogla, ku mungesa e mundësive është më e ndjeshme. Ky buxhet duhet të jetë i verifikueshëm, duke garantuar fonde të dedikuara që zbatojnë drejtpërdrejt programet për të rinjtë në të gjithë vendin, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në nivel bashkie.
2. Krijimin e Qendrave Multifunksionale për Fëmijë dhe të Rinj në çdo bashki/njësi me mbi 3,000 fëmijë dhe të rinj – këto hapësira duhet të jenë të sigurta dhe të ofrojnë shërbime rinore të garantuara dhe të koordinuara, përfshirë mbështetje sociale, edukative, kulturore dhe sportive. Bashkitë duhet të sigurojnë që qendrat për fëmijë dhe të rinj të jenë të pajisura me staf dhe shërbime të koordinuara me shkollat, universitetet, institucionet e arsimit profesional dhe programet e punësimit, duke garantuar një mbulim të plotë dhe akses të drejtpërdrejtë për komunitetet që kanë më shumë nevojë.
3. Sigurimin e psikologëve dhe punonjësve socialë në çdo shkollë – për mbështetje të vazhdueshme psiko-sociale dhe parandalimin e dhunës.
4. Zbatimin e programeve të detyrueshme për edukimin qytetar, tolerancën dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve në arsimin parauniversitar.
5. Zbatimin e programeve për prindër – për t’i pajisur me njohuri dhe aftësi në kuptimin e nevojave të fazës delikate të adoleshencës dhe ofrimin e mbështetjes efektive.
6. Përfshirjen aktive të fëmijëve dhe të rinjve në hartimin e politikave që lidhen me ta, përmes Këshillave/Grupeve të Fëmijëve dhe të Rinjve Vendorë dhe Kombëtarë funksional.
Z. Kryeministër, këto masa nuk janë vetëm investime për fëmijë dhe të rinj, por garanci për një të ardhme më të sigurt, më të drejtë dhe më të zhvilluar për vendin tonë. Çdo vonesë në marrjen e masave do të thotë rrezik më i madh për jetën, të ardhmen dhe stabilitetin social të brezave që po rriten.
Si organizata, jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizën dhe mbështetjen tonë për hapjen e programeve të reja kombëtare dhe rajonale për fëmijët dhe të rinjtë.
Me respekt,
1. Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë në Shqipëri – ALO 116111
2.Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri – CRCA/ECPAT Shqipëri
3.Platforma Kombëtare për Internet të Sigurt – iSIGURT.al
4.Save the Children in Albania
5.Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”
6.Shoqata Kombëtare Edukim për Jetën – SHKEJ
7.Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri – ANYN
8.ESN Tirana – Rrjeti Erasmus në Shqipëri
9.Vizion OJF
10.Organizata AUTIZMIFLET “Club Kombëtar i Prindërve të Fëmijve me CSA &P.A.K.”
11. Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje”
12. Qendra për Drejtësi Gjinore në Shqipëri
13. Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri – IRCA
14. BARANUS Shqipëri
15. Ambasada PINK
16. Qendra “Strehëza Edlira Haxhiymeri”
17. Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA)
18. Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
19. Kryqi i Kuq Shqiptar
20. Shoqata për Kulturë Demokratike (SHKD)
21. Parlamenti Rinor Tiranë