Forcimi i Procesit të Zgjerimit përmes ‘Garancisë për Fëmijët’- Një rrugë për të luftuar varfërinë dhe përjashtimin social tek fëmijët në vendet në proces të anëtarësimit në BE

14/07/2025 | Albania

Varfëria e fëmijëve mbetet sfidë e madhe në të gjithë Evropën, me përmasa edhe më shqetësuese në vendet që janë në proces të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria është ndër vendet që është angazhuar për ta përballuar këtë sfidë, si pjesë e përpjekjeve të saj për integrimin evropian dhe për të garantuar të drejtat themelore të çdo fëmije.

Në takimin virtual “Forcimi i procesit të zgjerimit përmes Garancisë për Fëmijët – Një rrugë për të luftuar varfërinë e fëmijëve dhe përjashtimin social në vendet në prag anëtarësimi”, të organizuar nga Save the Children Europe në bashkëpunim me zyrat e Save the Children në Ukrainë, Shqipëri, Gjeorgji, Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë, morën pjesë edhe përfaqësues të nivelit të lartë nga Komisioni Evropian, institucione rajonale dhe autoritete kombëtare, që tregon angazhimin e përbashkët për të vënë të drejtat e fëmijëve në qendër të agjendës politike.

Në këtë takim, Zv. Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Denada Seferi theksoi përkushtimin e qeverisë shqiptare për të zhvilluar Garancinë Kombëtare për Fëmijët, në bashkëpunim me aktorët vendas dhe ndërkombëtarë.

‘Garancia Evropiane për Fëmijët’ si një instrument strategjik për Shqipërinë, është më shumë se një politikë – ajo është një angazhim për barazi, dinjitet dhe mundësi për çdo fëmijë’-theksoi Blerina Celoaliaj, Drejtore e Cilësisë së Programeve dhe Avokacisë për Save the Children në Shqipëri.

Për vendet në proces anëtarësimi, si Shqipëria, ky instrument mund të shërbejë si një mjet strategjik për të përforcuar reformat sociale, për të rritur mbështetjen ndaj fëmijëve në nevojë dhe për të avancuar në rrugën drejt BE-së.

Në diskutim me gjithë pjesëmarrësit u theksua se nevojiten:

  1. Angazhim i vazhdueshëm politik nga liderët kombëtarë dhe evropianë;
  2. Të dhëna të besueshme për fëmijët në situata të cenueshme;
  3. Financim adekuat nga buxheti kombëtar dhe fondet e BE-së;
  4. Bashkëpunim efektiv ndërmjet qeverive vendore, shoqërisë civile dhe komuniteteve;
  5. Pjesëmarrje aktive e fëmijëve në hartimin dhe zbatimin e politikave.

 Rekomandimet e Save the Children në Shqipëri

Në mënyrë që Garancia për Fëmijët të mos mbetet vetëm një aspiratë, por të shndërrohet në realitet për fëmijët shqiptarë, Save the Children në Shqipëri propozon:

  • Rritjen e alokimeve buxhetore për shërbime që prekin drejtpërdrejt fëmijët, sidomos në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale.
  • Hartimin e strategjive të qëndrueshme financiare për të garantuar zbatimin afatgjatë të reformave.
  • Decentralizimin e vendimmarrjes dhe burimeve në nivel bashkiak, për të përshtatur shërbimet sipas nevojave lokale.
  • Forcimin e monitorimit dhe llogaridhënies, përmes përfshirjes së shoqërisë civile dhe përdorimit të të dhënave të detajuara.
  • Institucionalizimin e pjesëmarrjes së fëmijëve në hartimin dhe vlerësimin e politikave publike.

Shqipëria ka një mundësi të artë për të treguar lidership rajonal në luftën kundër varfërisë së fëmijëve. Përmes përkushtimit politik, financimit të qëndrueshëm dhe fuqizimit të shërbimeve në nivel lokal, Garancia për Fëmijët mund të bëhet një realitet për shumë fëmijë në Shqipëri që sot përballen me përjashtim dhe mungesë mundësish.