Emergjenca
Puna jonë Humanitare i dedikohet reduktimit të impaktit të fatkeqësive natyrore tek fëmijët dhe komunitetet e tyre, duke nxitur bashkëpunimin midis fëmijëve, anëtarëve të komunitetit dhe strukturave përgjegjëse në të gjitha nivelet.
Në vitin 2017, gjatë përmbytjeve të rënda, ne ofruam pako ushqimore esenciale dhe kite higjienike për familjet më të prekura në shtatë qarqe të Shqipërisë. Pas tërmetit shkatërrues të vitit 2019, ne reaguam me shpejtësi duke shpërndarë artikuj thelbësorë si batanije, tenda dhe materiale shkollore, ndërsa krijuam edhe Hapësira Miqësore për Fëmijët, në të cilat promovohej mirëqenia psikosociale dhe aftësia ripërtëritëse e fëmijëve të prekur.
Gjatë pandemisë COVID-19, ne zgjeruam mbështetjen tonë për të përfshirë pako ushqimore, kite higjienike, mjete dixhitale për ndjekjen e programit shkollor dhe shërbime psikosociale për fëmijët dhe familjet në 11 qarqe. Gjithashtu, ndihmuam Ministrinë e Arsimit në përshtatjen e programeve arsimore për nxënësit e vegjël dhe fuqizuam rrjetet rinore për të nisur fushatën #ProduktivNëShtëpi.
Shërbimet tona gjithëpërfshirëse në Shëngjin për fëmijët afganë të zhvendosur në Shqipëri fokusohen në shëndetin mendor dhe mbështetjen psikosociale, programet edukative, menaxhimin e stresit dhe këshillimin. Përpjekjet tona ndihmojnë fëmijët të nxënë, të luajnë dhe të zhvillohen, ndërsa mbështetin edhe prindërit, kujdestarët dhe komunitetet me informacione edukative.