Ndërsa abuzimi seksual ndaj fëmijëve rritet si pasojë e teknologjive në zhvillim, Save the Children bën thirrje për një “qasje të shëndetit publik” për ta luftuar këtë fenomen në BE

6/07/2026 | Albania

Nevojitet një qasje e shëndetit publik, e fokusuar te parandalimi dhe zbulimi i hershëm, krahas reagimit ndaj rasteve, për të ndaluar që fëmijët në mbarë botën të përjetojnë shfrytëzim dhe abuzim seksual online, deklaroi Save the Children.

Kjo thirrje vjen në prag të fillimit të Dialogut Global për Qeverisjen e Inteligjencës Artificiale (AI) në Gjenevë, Zvicër, i cili zhvillohet më 6–7 korrik dhe synon të trajtojë praktikat më të mira dhe të nxisë diskutime të hapura mbi qeverisjen e Inteligjencës Artificiale.

Abuzimi seksual online ndaj fëmijëve është rritur në mënyrë eksponenciale gjatë 15 viteve të fundit, duke kaluar nga 1 milion raportime në nivel global në vitin 2010 në më shumë se 23 milionë raportime në prag të vitit 2026, sipas Komisionit Evropian. Kjo përfshin edhe materialet e abuzimit seksual ndaj fëmijëve (CSAM) të krijuara ose të manipuluara me anë të teknologjive si Inteligjenca Artificiale.

Dëmet që teknologjitë gjeneruese të Inteligjencës Artificiale u shkaktojnë fëmijëve nuk kufizohen vetëm te mjetet që prodhojnë foto apo video, thekson Save the Children. Edhe chatbot-et e bazuara në tekst paraqesin rreziqe të konsiderueshme, pasi mund t’u ofrojnë autorëve të abuzimeve informacion se si të kryejnë abuzim seksual ndaj fëmijëve, si edhe t’i orientojnë fëmijët drejt bisedave me përmbajtje seksuale.

Francesca Centola, Këshilltare për Politikat dhe Advokimin në Save the Children Europa për të Drejtat e Fëmijëve në Mjedisin Digjital, u shpreh:

“Për të parandaluar që fëmijë të panumërt në mbarë botën të përjetojnë traumën e shkaktuar nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual online, nevojitet një qasje e shëndetit publik. Kjo do të thotë të kalojmë nga trajtimi i këtyre rasteve vetëm si krime individuale që adresohen pasi kanë ndodhur, në trajtimin e tyre si probleme shoqërore të parandalueshme, që kërkojnë një qasje të koordinuar.

Kompanitë e teknologjisë kanë një rol thelbësor përmes masave si integrimi i sigurisë që në fazën e projektimit të produkteve, kryerja e vlerësimeve të rrezikut dhe masave për zbutjen e tij, si edhe zbulimi i rasteve të abuzimit seksual online ndaj fëmijëve.

Duke pasur parasysh përmasat e mëdha të kësaj shkeljeje të të drejtave të fëmijëve, zbulimi efektiv është themelor për identifikimin e rasteve të abuzimit, mundësimin e ndërhyrjes në kohë, mbrojtjen e fëmijëve nga dëme të mëtejshme dhe orientimin e përpjekjeve më të gjera parandaluese.”

Save the Children mbështet atë kuadër ligjor që përfshin zbulimin e detyrueshëm të rasteve, krahas zbulimit vullnetar, me kusht që të ekzistojnë garanci të përshtatshme ligjore dhe teknike. Ne u bëjme thirrje rregullatorëve të krijojnë një bazë të qartë ligjore për zbulimin e të gjitha formave të abuzimit seksual ndaj fëmijëve në të gjitha hapësirat online.