Save the Children nderon Kastrati Group dhe Presidentin, Shefqet Kastrati me “Titullin e Mirënjohjes” për kontributin ndaj Fëmijëve

27/03/2026 | Albania

Save the Children në Shqipëri ka nderuar Kastrati Group me “Titullin e Mirënjohjes” për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj fëmijëve dhe familjeve në nevojë.

Ky vlerësim vjen në kuadër të marrëveshjes njëvjeçare bashkëpunimi të nënshkruar mes dy palëve, e cila shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të angazhimit të sektorit privat në çështje sociale dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Partneriteti ndërtohet mbi një qasje të përbashkët: të krijojë mundësi më të mira për fëmijët, duke adresuar nevoja konkrete në komunitete dhe duke kontribuar në mirëqenien e tyre afatgjatë.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, janë parashikuar tre aktivitete kryesore, të cilat synojnë të sjellin ndikim të drejtpërdrejtë dhe të matshëm:

-Mbështetje për qendrat komunitare dhe shërbimet për fëmijët,

-Iniciativa solidariteti për familjet në kushte të vështira ekonomike,

-Aktivitete ndërgjegjësuese që promovojnë të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve.

“Ky vlerësim është një shenjë mirënjohjeje për një partneritet që shkon përtej mbështetjes financiare. Kastrati Group ka treguar se angazhimi i sektorit privat mund të sjellë ndryshim real në jetën e fëmijëve. Së bashku, po ndërtojmë mundësi më të mira dhe një të ardhme më të sigurt për ta,” u shpreh CEO i Save the Children në Shqipëri, Anila Meço.

Kastrati Group ka rikonfirmuar angazhimin për të vijuar mbështetjen ndaj iniciativave që vendosin në qendër fëmijët dhe komunitetet, duke e konsideruar këtë partneritet si një investim në të ardhmen.

“Për Kastrati Group, ky bashkëpunim është më shumë sesa një angazhim – është një përgjegjësi për të kontribuar në mirëqenien e komuniteteve ku operojmë. Fëmijët janë në qendër të së ardhmes dhe mbështetja ndaj tyre është një investim i drejtpërdrejtë në një shoqëri më të fortë dhe më të qëndrueshme,” u shpreh Presidenti i Kastrati Group, Shefqet Kastrati.

Ky partneritet dëshmon se kur ekspertiza e organizatave të mbështetjes sociale dhe përgjegjësia e sektorit privat bashkohen, rezultatet shkojnë përtej një projekti – ato sjellin ndryshim të qëndrueshëm për fëmijët dhe komunitetin.