Ndërhyrja në mbështetje të familjeve të prekura nga përmbytjet në rajonin e Durrësit është përmbyllur, duke sjellë ndihmë konkrete për qindra familje që u përballën me vështirësi gjatë kësaj periudhe.
Së fundmi, kemi dhuruar veshje për fëmijë për 132 familje në këtë rajon. Ky moment u shoqërua me shumë urime, buzëqeshje dhe mirënjohje nga vetë fëmijët dhe familjet, duke treguar edhe një herë se sa e rëndësishme është mbështetja dhe solidariteti në kohë sfidash.
Kjo ndihmë është pjesë e një ndërhyrjeje më të gjerë të realizuar gjatë këtij viti për 400 familje në rajonin e Durrësit. Përmes kësaj mbështetjeje janë ofruar pako ushqimore, batanije dhe ngrohëse për familjet e prekura, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës pas përmbytjeve.
Ndërhyrja është financuar nga Start Network dhe është zbatuar në partneritet nga Save the Children in Albania, World Vision Albania dhe Islamic Relief Albania. Aktivitetet janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me njësitë administrative të Bashkisë Durrës, duke siguruar që ndihma të arrijë tek familjet që kishin më shumë nevojë.
Mbështetja ndaj familjeve të prekura nga emergjencat mbetet thelbësore për të rikthyer sigurinë dhe shpresën në jetën e tyre. Përmes bashkëpunimit dhe solidaritetit, është e mundur të ndërtohen komunitete më të forta dhe më të qëndrueshme për vendin.



