Në përgjigje të situatës së vështirë të shkaktuar nga përmbytjet e fundit, është përmbyllur me sukses shpërndarja e ndihmave humanitare për 400 familje në zonat më të prekura të qytetit të Durrësit. Reshjet intensive sollën dëme të konsiderueshme në banesa dhe vështirësuan kushtet e jetesës për shumë familje, duke krijuar nevoja urgjente për mbështetje të menjëhershme.
Save the Children in Albania, në partneritet me World Vision Albania dhe Islamic Relief Albania, si dhe me mbështetjen e Start Network, u angazhua në terren për të lehtësuar pasojat e kësaj situate emergjente dhe për të ofruar ndihmë jetike për familjet e prekura.
Ndihmat e shpërndara përfshinë:
Paketa ushqimore
Paketa higjienike
Ujë të pijshëm
Batanije dhe ngrohëse
Këto ndihma kontribuan në përmbushjen e nevojave bazë dhe në garantimin e kushteve minimale të jetesës, veçanërisht për fëmijët dhe familjet më të cenueshme.
Shpërndarja u realizua në zonat:
Katund i Ri, Rrashbull, Xhafzotaj, Rajoni 4, Rajoni 6, Nishtullë dhe Sukth.
Save the Children in Albania dhe partnerët e saj mbeten të angazhuar për të monitoruar situatën dhe për të mbështetur komunitetet në fazat e mëtejshme të rimëkëmbjes, duke garantuar që nevojat e fëmijëve dhe familjeve të jenë gjithmonë në qendër të ndërhyrjeve humanitare.



